Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky falënderoi sot udhëheqësit evropianë pas marrëveshjes së tyre për financim të mëtejshëm për vendin e tij, i cili është sulmuar nga Rusia që nga shkurti i vitit 2022.
“Kjo është një mbështetje e rëndësishme që vërtet forcon qëndrueshmërinë tonë”, shkroi ai në një postim në X.
Ai theksoi se është e rëndësishme që asetet ruse të mbeten të palëvizshme dhe që Ukraina të marrë garanci financiare për vitet e ardhshme.
Pas disa muajsh mosmarrëveshjesh, shtetet anëtare të BE-së arritën një kompromis në orët e para të mëngjesit për financimin e Ukrainës për dy vitet e ardhshme, por pa ndërmarrë hapin e diskutueshëm të përdorimit të aseteve të ngrira ruse menjëherë.
Sipas marrëveshjes, Ukraina do të marrë një kredi pa interes prej 90 miliardë eurosh.
Nëse Rusia nuk paguan kompensim për dëmet e luftës, asetet e ngrira ruse në BE do të përdoren për të shlyer kredinë.
Kancelari gjerman, Friedrich Merz ishte një nga liderët që fillimisht kishin kërkuar të përdornin fondet e bankës qendrore ruse të ngrira kryesisht në Belgjikë – për të ofruar kredi deri në 210 miliardë euro.
Megjithatë, plani në fund dështoi për shkak të kundërshtimit nga vende si Franca dhe Italia, pasi Belgjika në veçanti ngriti shqetësime të mëdha ligjore dhe politike.