Shkup, 25 dhjetor – Sportistët shqiptarë e klubet shqiptare për një kohë të gjatë ishin të lënë pas dore. Sikurse në nivel lokal ngjashëm edhe në atë republikan. Të jesh sportist i ri edhe shqiptar ishte sfidë e dyfishtë në vendin tonë. Sepse, dikur një nga kriteret për ndihmë, bursë apo subvencion qeveritar ishte edhe përkatësia etnike, pra shpesh herë janë përjashtuar nga ndihma e kualifikime të ndryshme vetëm pse kanë qenë shqiptarë. Por, tani me ndryshimin e pushtetit premtohet ringjallje e kulturës e sportit shqiptarë, shkruan Zhurnal.
Sporti shqiptarë në ringjallje e sipër –
Zëvendësministrja e Sportit dhe nënkryetare e Alternativës, pjesë e Koalicionit “Vlen”, Safije Sadiki Shaini, në konferencën e sotme për media theksoi se me një fond prej mbi tetë milionë euro do të mbështesin klubet sportive dhe zhvillimin e sportit.
“Sporti është pasaportë krenarie për çdo komb. Me mbështetjen tuaj dhe vullnetin tonë për të ndryshuar, ne filluam një epokë të re për sportin në vendin tonë. Tani talentët tanë nuk harrohen më dhe klubet tona nuk janë më të margjinalizuara. Punojmë për të sjellë mundësi për të gjithë. Me një fond prej mbi tetë milionë eurosh janë ndarë mjete të konsiderueshme për mbështetjen e klubeve sportive dhe zhvillimin e sportit. Gjërat kanë ndryshuar tani dhe sportistët po marrin mundësi të reja për sukses dhe avancim. Ndryshimi i Qeverisë ka një efekt pozitiv në çdo sektor, edhe në sport. Tani çdo talent ka mundësinë të arrijë majat më të larta. Nuk ka vend për ndarje dhe diskriminim në sport. Kjo është një tragjedi e së kaluarës e cila tani është pas nesh”, tha Sadiki Shaini.
Ajo theksoi se kanë ndarë 500 bursa për talentët e rinj të sportit dhe theksoi se do të vazhdojnë t’i mbështesin edhe në të ardhmen.
“Ndërkohë kemi ndarë 500 bursa për talentet e rinj të sportit. Ne do ta vazhdojmë këtë praktikë edhe në të ardhmen dhe do të përpiqemi të rrisim ndihmën dhe që këta talentë të rinj të marrin më shumë mbështetje nga shteti. Ky është një hap tjetër me të cilin tregojmë se kujdesemi për të rinjtë dhe për të ardhmen, e cila për ne ka një rëndësi të madhe për promovimin e një shoqërie të shëndetshme dhe ndërtimin e vlerave reale”, tha ajo.
Ajo përfundoi me atë se kanë votuar Programin për objekte sportive për vitin 2024, përmes të cilit tashmë disa objekte sportive janë duke u rikonstruuar, e disa pritet të rikonstruohen.
Hiç më larg se vitin e kaluar kjo ishte gjendja e Klubeve shqiptare –
Klubet shqiptare shprehnin revoltën e tyre para Agjencisë për Rini dhe Sport me parullat se “Jemi të diskriminuar”. Vauçerët për sportistët dhe klubet e sportit kanë shkaktuar revoltë tek disa klube shqiptare vitin e kaluar të cilët kishin protestuar para Agjencisë për Rini dhe Sport për tu ankuar. Kreu i Dritës së Bogovinës, Xhemaili, pati thënë se ekipi i tij i ka dhënë më shumë reprezentues këtij shteti se në vitin e kaluar, e në vend se të rriten subvencionet, klubit të tij u janë zvogëluar.
“Që do të thotë se nuk kemi asgjë në aspekt politik, por jemi në aspekt nacional të diskriminuar. Kryetari i Federatës ka ndarë shumë mirë në bazë të rezultateve, ku si bazë merret garimi shumëvjeçar, garimi në kategori fëmijësh dhe ku kemi lojtarë që përfaqësojnë edhe Kombëtaren. Vitin e kaluar kemi pasur 1,5 milion denarë vauçer, kurse këtë vit, ne patëm edhe një përfaqësues plus në reprezentacion e RMV në gjeneratat e reja, ne jemi ngritur në nivel, e në vend se të ngritët edhe vlerësimi, përkundrazi, Agjencia na ka ul vauçerin nga 1,5 milion në 900mijë. Kurse kemi një klub i ashtuquajtur Veleshta, vitin e kaluar ka qenë me 400mijë i vlerësuar si klub i 2011, si klub i ri dhe me të vetmin fakt që sivjet e ka ndryshuar pronarin, është blerë nga një pronar maqedonas në Tetovë, ajo sivjet është llogaritur nga 400mijë në 1,3 milion, është trefishuar shuma”, kishte deklaruar para Agjencisë, Xhemaili.
Karateisti, Berat Jakupi, kishte nxjerr edhe statistikat, që sipas tij, dëshmojnë se shqiptarët janë të diskriminuar në ndarjen e këtyre fondeve.
“Në vauçerët për sportistë kanë konkurruar 174 sportistë, ku vetëm 17 sportistë janë paraparë që të marrin vauçerë. Shuma e vauçerave ka qenë 18 milion denarë, apo në euro, 300mijë euro. Për shqiptarët janë dedikuar vetëm 2,3 milion denarë, apo 37mijë euro. Tek vauçerët për klube, kanë konkurruar 664 klube, ku shqiptarë janë të paraparë 89 klube. Shuma totale e vauçerëve për klube ka qenë 475 505 000 denarë, që i bie në vlerë në euro, diku rreth 8 milion euro. Për shqiptarët janë paraparë 55 420 000 denarë, në euro, 900 000 euro. Kjo tregon qartë që sportistë dhe klubet janë të diskriminuar”, kishte grumbulluar këto statistika karateisti Jakupi.
Përfaqësuesit e klubeve thonin se më shumë para marrin klube maqedonase që mezi i mbledhin 11 lojtarë, se sa klube shqiptare si klubi i futbollit për femra, Shkëndija, që në ekipin e vet ka 9 lojtare që janë edhe në reprezentacionin e shtetit. Ata thonë se ka edhe shumë klube dhe sportist që janë të diskriminuar, por për shkak presioneve politike dhe largësisë nuk kanë mundur të ishin para selisë së Agjencisë për Rini dhe Sport.
Vetëm nga një ngjarje si kjo më sipër shpjegohet e tërë gjendja e mjerueshme në të cilën kanë qenë të katandisur klubet e sportistët shqiptarë. Prandaj, mbetet të shpresohet që nëse ndryshimi i qeverisjes do të sjellë edhe ndryshimin e vërtetë në vepër e terren për këta sportistë që janë ambasadorët më të mirë të vendit e popullit tanë. /Zhurnal.mk