Shkup, 2 shtator – Kur u zbardhën deklaratat e Izet Mexhitit se Bujar Osmani është takuar dy herë me Nikolla Gruevskin një pjesë e opinionit reagoi me skepticizëm. Por kur vetë Osmani pranoi takimin edhe pse e fshehu pas formulës së zakonshme të “informacionit të klasifikuar”, dyshimet u kthyen në shqetësim të hapur. Sepse pyetja nuk është më nëse Osmani u takua me Gruevskin, por pse u takua. Për të vazhduar tutje, a nuk mjaftuan të gjitha dëmet e të zezat dhe politikat antishqiptare të Gruevskit ndaj shqiptarëve që sot të kuptojmë se ka pasur përpjekje për ta rehabilituar madje për ta rikthyer sërish në vend? shkruan Zhurnal.
Gruevski dhe trashëgimia e tij e errët –
Nikolla Gruevski nuk ishte thjesht një kryeministër që u rrëzua nga pushteti. Ai u bë simbol i një regjimi autoritar nacionalist dhe antishqiptar. Nga përjashtimi i gjuhës shqipe, tek represioni policor, tek “bombat” që zbuluan manipulimet e pushtetit të tij gjithçka lidhet me një periudhë ku shqiptarët ndiheshin të margjinalizuar e të përndjekur.
Të pranosh sot kontakte me të pa asnjë transparencë është të rihapësh plagë që nuk janë shëruar ende.
Bujar Osmani është përpjekur të paraqitet si politikan modern evropian dhe i hapur ndaj transparencës. Por pranimet e tij për një takim me Gruevskin dhe justifikimi se bëhet fjalë për “sekret shtetëror” e vendosin atë në pozitë kontradiktore. Si mund të jetë sekret një kontakt me një të arratisur që ka dëmtuar vetë themelet e demokracisë? Apo kemi të bëjmë me një “sekret politik”, që fshihet nga syri i publikut sepse nuk do të pranohej kurrë nga qytetarët?
Deklaratat e Mexhitit për dy takime të ndjekura nga pranimi i Osmanit e ushqejnë narrativën se në prapaskenë po bëhen lëvizje për ta rikthyer Gruevskin në lojë. Dhe nëse kjo është e vërtetë, atëherë shqiptarët kanë të drejtë të pyesin për çfarë interesash sakrifikohet dinjiteti i tyre?
Në vend që të përballemi me të ardhmen europiane duket se politika jonë është ende e lidhur me hijet e së kaluarës. Dhe nëse Bujar Osmani ka zgjedhur të ulet me Gruevskin ai duhet të tregojë pse. Sepse ndryshe, heshtja e tij do të përkthehet si bashkëfajësi në rikthimin e një figure që shqiptarëve u ka sjellë vetëm të zeza.
Kujtojmë që, pushteti BDI-VMRO nën udhëheqjen e Nikolla Gruevskit ka qenë periudha më e errët për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Montoheshin raste me viktima shqiptarë, burgoseshin padrejtësisht me çka shumë prej tyre edhe kanë ndërruar jetë në burgje. Nxënësit shqiptarë rriheshin në autobuse nga huliganë maqedonas, pabarazi në ndarje të fondeve, qasje selektive e diskriminuese ndaj shqiptarëve. Pra, çdo gjë të keqe e të errët shqiptarët e kanë përjetuar gjatë kësaj periudhe derisa e detyruan të ikë nga vendi këtë drejtues të padrejtë. Shqiptarët nuk harrojnë e shqiptarët nuk falin kaq lehtë. /Zhurnal.mk