Armëmbajtjet pa leje shpien drejt shtimit të numrit të vdekjeve nga armët e zjarrit!

nga I.A

Shkup, 26 qershor – Maqedonia e Veriut si shtet kandidat për anëtarësim në BE qëndron mjaft keq për sa i përket numrit të armëve që ekzistojnë pa leje. Kjo tregon që situata e sigurisë nuk është fare stabile dhe e qëndrueshme në vend. Sipas analizës së fundit të “Kërkimeve për armë të vogla”, në Maqedoninë e Veriut janë mbi 620 mijë armë zjarri, 450 mijë prej të cilave vlerësohet se janë pa leje. E se armëmbajtja pa leje shton numrin e vdekjeve nga armët e zjarrit dëshmojnë faktet në vijim. Me 12,25 raste për milion banorë, Maqedonia e Veriut është e treta në Evropë sipas shkallës së vdekjeve nga armët e zjarrit, shkruan Zhurnal.

Vdekjet nga armët e zjarrit RMV e treta në Evropë –

Me 12,25 raste për milion banorë, Maqedonia e Veriut është e treta në Evropë sipas shkallës së vdekjeve nga armët e zjarrit, sipas analizës së portalit statistikor “Landgeist”, bazuar në të dhënat e Institutit ndërkombëtare për matjen dhe vlerësimin e shëndetit me bazë në Universitetin në Sietëll.

Shkallë me të lartë të vdekjeve me arme zjarri ka në Turqi (18,16) dhe në Shqipëri (15,20). Nga vendet fqinje, kjo shkallë në Serbi është 10,44, në Bullgari 7,69 dhe në Greqi 4,35.

Shkallë më të ulët ka në Britaninë e Madhe (0,66), Islandë (0,87) dhe Norvegji (0,92). Këto tre vende janë të vetmet në Evropë ku policia nuk mban armë.

Në përgjithësi, shkalla e vdekjeve nga armët në Evropë është jashtëzakonisht e ulët. Të gjitha vendet në Afrikë, Azi dhe Oqeani (në të cilat nuk ka konflikt të armatosur) gjithashtu kanë pak vdekje të shkaktuara nga armët e zjarrit.

Për dallim nga ata, norma më të larta shihen në Amerikën veriore dhe jugore, ku përveç Kanadasë dhe Kubës, të gjitha vendet e tjera kanë një shkallë më të lartë të vdekjeve nga armët sesa ajo në Turqi. Për krahasim, shkalla e vdekjeve nga armët në SHBA është 41,69.

“Landgeist” thekson se shkalla e vdekjeve i referohet periudhës para luftës në Ukrainë dhe nuk përfshin vetëvrasjet me armë zjarri.

A duhet të ashpërsohen dënimet për armëmbajtje pa leje?

Mbajtja e armëve pa leje i mundëson qytetarëve që zënkave verbale t’i japin përfundime fatale, me vrasje e kërcënime të natyrave të ndryshme. Armët pa leje janë mjetet përmes të cilave grupet e krimit të organizuar funksionojnë në dëm të shoqërisë. Prandaj, nuk do mend që sa më parë e më shpejt duhet të ashpërsohen dënimet e të rriten hetimet mbi zbulimin e armëve që mbahen pa leje, që nuk janë numër i vogël.

Sipas analizës së fundit të “Kërkimeve për armë të vogla”, në Maqedoninë e Veriut janë mbi 620 mijë armë zjarri, 450 mijë prej të cilave vlerësohet se janë pa leje. Sipas këtyre të dhënave, në 100 persona, 30 prej tyre posedojnë armë, tetë prej të cilëve kanë leje për to, ndërkaq 22 jo. Në këtë studim janë përfshirë shtetet e Bashkimit Evropian, Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia. Në mesin e 34 shteteve të përfshira në të dhënat e “Kërkimeve për armë të vogla”, Maqedonia e Veriut është radhitur e shtata sa i përket posedimit të armëve pa leje.

Në Maqedoninë e Veriut, Ligji për armët është miratuar më 2005. Ky ligj ndan në katër kategori armët. Në kategorinë A përfshihen armët e zjarrit që janë plotësisht automatike dhe që janë të ndaluara për përdorim civil. Kategoritë B dhe C përfshijnë armët e zjarrit gjysmëautomatike, pistoletat, pushkët dhe pushkët e gjahut që mund të blihen dhe qytetarët të pajisen për to me leje normale. Ndërkaq, kategoria D përfshin armët e ftohta, ajrore dhe zjarri që mund të blihen pa licencë, por duhet të regjistrohen.

“Për të marrë leje për armë zjarri në Maqedoni të Veriut, personi duhet të jetë së paku 18 vjeç, i aftë për punë, i shëndetshëm, të mos jetë i rrezikshëm për rendin publik, të ketë vendbanim të përhershëm në Maqedoni të Veriut, të ketë njohuri teknike për armët dhe rregulloret përkatëse dhe të ketë arsye të justifikuar për fitimin e një të drejte të tillë”, thuhet në këtë ligj.

Ndryshe, pretendohet që armët ilegale vijnë në vendet e Ballkanit Perëndimor si burim kryesor nga luftërat në ish Jugosllavi, dhe vjedhjet që janë bërë në depot e Shqipërisë gjatë vitit 1997. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More