Prej muajsh Kosova ndodhet në një ngërç institucional të thellë. Të premten ka dështuar për herë të 20-të konstituimi i kuvendit.
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, pas dështimit të përpjekjes së 20-të, ka thënë se partia së cilës ajo i përket qëndron konstruktive dhe se janë të gatshëm në çdo moment që të hapin rrugë.
“Sot kanë kaluar 103 ditë nga 9 shkurti. 103 ditë të humbura për Kosovën, e pa i adresuar hallet dhe problemet e qytetarëve të Kosovës. PDK qëndron konstruktive. Ne jemi të gatshëm në çdo moment që të hapim rrugë. Kemi ofruar alternativat tona, mirëpo Kosova po mbahet peng e kryeneçësisë së Albin Kurtit. Bëjmë ftesë për reflektim që të ecim tutje.” – ka thënë Çitaku për media.
Ndërsa, deputetja e koalicionit LVV-Guxo-Alternativa, Donika Gërvalla-Schëarz ka thënë se bllokada institucionale e dëmton imazhin e vendit.
“Kuvendi po e bllokon vetveten dhe natyrisht që lë shije të keqe tek miqtë e Kosovës, por edhe tek ata që na duan më së pakti.” – u shpreh Gërvalla për media pas dështimit të përpjekjes së 20-të për konstituim të Kuvendit.
Gërvalla ka shtuar se është situatë e papranueshme që kërkon zgjidhje të menjëhershme dhe “reagim racional të deputetëve të opozitës”.
“Beteja politike bëhet për zgjedhje të Qeverisë, e jo për një temë që është e vetëkuptueshme.” – ka pohuar Gërvalla.
Ajo përkujtoi se është seanca e 10-të që janë duke votuar për procedura.
“Ju bëj thirrje deputetëve që të votojnë për zhbllokim. Është e drejtë e tyre të votojnë ‘kundër’ e të abstenojnë. Do të duhej urgjentisht, më së largu pas 48 orësh të zhbllokohet kjo situatë, e më pas i mbetet z. Kurti të marrë përgjegjësinë për formimin e Qeverisë dhe të fillojnë afatet.” – ka vazhduar ajo.
Por, analistët thonë se kjo krizë e brendshme politike është edhe për shkak të presionit të jashtëm që lidhet me çështje të ndjeshme si themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
Analisti Blerim Burjani, shprehet se kushtet e BE-së dhe kushtëzimet ndaj Kosovës me masa që nuk hiqen kurrë pa pranuar asociacionin janë pengesa kryesore pse nuk ka qeveri të re në Kosovë.
Sipas tij, një pjesë e opinionit në Kosovë mendon se edhe nëse krijohen institucionet në këtë kohë mund të sjellin më shumë dëm se dobi.
“Këtë e kam thënë shumë më herët: se ka pasiguri, frikë, përgjegjësi. Mund të ketë presion më të madh për të bërë lëvizje në drejtim të themelimit të Asociacionit. Kushtet e BE-së dhe kushtëzimet ndaj Kosovës me masa që nuk hiqen kurrë pa pranuar Asociacionin dhe draft-statutin janë pengesa kryesore pse nuk ka qeveri të re në Kosovë. Të gjithë i ikin themelimit të qeverisë, ndërsa Kuvendi po përdoret si pretekst për të mos filluar zbatimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit.
BE dhe SHBA duan që Lëvizja Vetëvendosje (VV) të jetë jashtë loje, por skenari ndërkombëtar ka një vizion të qartë për atë që duhet bërë. Pra, nuk ka anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Europës, nuk ka fonde të zakonshme që jep BE-ja për shtetet që synojnë integrimin. Një pjesë e opinionit në Kosovë mendon se, edhe nëse krijohen institucionet, në këtë kohë mund të sjellin më shumë dëm se dobi”, shprehet Burjani.
Sipas tij, BE duhet të sqarojë disa situate që do t’i jepnin Kosovës arsye të besonte se është më mirë të krijojë sa më shpejt institucione.
“Po të ishin hequr masat kundër Kosovës nga BE-ja dhe të ishte anëtarësuar në KiE, do të ishte një lehtësim dhe inkurajim për krijimin sa më të shpejtë të institucioneve. Do të zhdukej presioni ndaj Kosovës, por as Asociacioni me draft-statutin e BE-së — që vlerësohet skandaloz për rendin juridik të Kosovës — nuk do të kishte përkrahje. Ky është një kurth dhe një kushtëzim që mund të jetë pengesa kryesore, si dhe shtytësi që partitë aktuale të mos e marrin seriozisht krijimin e institucioneve, duke e zvarritur pafund. Mendoj se BE-ja duhet të sqarojë disa situata që do t’i jepnin Kosovës arsye të besonte se është më mirë të krijojë sa më shpejt institucione, për të shmangur presionin për një Asociacion që e do Serbia, por që nuk sjell zgjidhje në komunikim me serbët lokalë, të cilët janë aktorë kryesorë sepse jetojnë në shtetin e Kosovës”, deklaron analisti.
Ai përmend edhe faktorët tjerë pse nuk ka qeveri.
“Prapë frika ekziston: se do t’i detyrojnë dhe shantazhojnë më lehtë për të bërë Asociacionin, do të ketë trysni, presion psikologjik, pasiguri dhe përgjegjësi që mund të jetë edhe penale për institucionet nëse e themelojnë një Asociacion me elemente që krijojnë arbitrazh të përhershëm për problemet e serbëve nën një patronat ndërkombëtar. Ky arbitrazh i përmendur në draft-statut nënkupton që Kosova nuk është sovrane në 33% të territorit të saj, në zonat ku jetojnë serbët (10 komuna). Kjo është e frikshme edhe për një qeveri gjithëpërfshirëse. Faktor tjetër pse nuk ka një qeveri të tillë është se VV nuk e do fare një qeveri të përbashkët sepse mund të humbë postin e kryeministrit. Opozita nuk e do Kurtin si kryeministër, sepse e konsideron të paaftë për të mbajtur shtetin, jo të besueshëm dhe planifikues të dobët për të ofruar shërbime urgjente për qytetarët. Një tjetër faktor është degradimi i VV-së: sa më shumë të shtyhen zgjedhjet, aq më shumë pritet të humbasë përkrahje (mund të bie në 3-4% në zgjedhjet e ardhshme). Kështu synohet që VV dhe Kurti të hiqen nga loja, duke i paraqitur si të paaftë për gjithçka përveç gjuhës retorike dhe të emërohen si të paditur”, pohon Burjani.
Ai kërkon ndërmjetësimin e presidentes për ndarje të posteve të rast të një qeverie gjithëpërfshirëse.
“Në këtë situatë, mund të ndërmjetësojë presidentja, me një qasje të butë, për të ndarë postet. Pozita kryesore sfiduese është ajo e kryeministrit — të tre partitë e mëdha e duan për vete këtë post. Kurti nuk e lëshon, por nuk pranon të hyjë në një qeveri gjithëpërfshirëse me PDK dhe AAK, të cilat i konsideron parti të korruptuara dhe nuk dëshiron të identifikohet me to, për të mos humbur elektoratin në zgjedhjet e ardhshme.
Një zgjidhje e mundshme do të ishte që posti i kryeministrit të funksionojë me rotacion deri në zgjedhjet e ardhshme, ose të emërohet një kryeministër jopartiak nëse nuk ka konsensus nga partitë”, përfundon Burjani.