Editorial / Lëreni Bashkimin Evropian të qetë, fokusohuni te komunat!

nga Redaksia

Shkup, 4 shtator – Anëtarësimi në Bashkimin Evropian është bërë pjesë e fushatës zgjedhore në Maqedoninë e Veriut. Habia më e madhe është se këto zgjedhje janë zgjedhje lokale, ndërsa kandidatët për kryetar komune flasin për integrimin në BE, gjë që një temë e tillë nuk duhet të jetë pjesë e këtyre zgjedhjeve, shkruan “Zhurnal.mk”.

Gjithmonë kur mungojnë idetë për punë konkrete, kamuflazhi më i mirë mbetet Bashkimi Evropian. Dhe kjo po ndodh edhe kësaj radhe nga disa kandidatë të opozitës të cilët duket se kanë harruar se kanë dalë kandidat për zgjedhje lokale dhe jo për zgjedhje parlamentare.

E tillë konsiderohet edhe deklarata e kandidatit për Çairin, Bujar Osmani, i cili tha se nevojitet unitet kombëtar në lidhje me integrimin evropian të vendit, duke komentuar deklaratën e kreut të LSDM në opozitë, Venko Filipçe për nënshkrimin e një deklarate në Parlament për integrimin evropian me vijat tona të kuqe, si dhe për pezullimin e negociatave me Bashkimin Evropian nëse marrim një veto të re nga Bullgaria.

Edhe Filipçe por edhe Osmani kësaj radhe e kanë huqur keq politikën e tyre, sepse popullit në këtë fushatë zgjedhore po i mungojnë idetë dhe programet partiake për zgjedhjet lokale në të cilën është futur vendi.

Asnjëri kandidat i opozitës, qoftë i LSDM-së apo BDI-së, nuk kanë ofruar ndonjë zgjidhje konkrete për sa i përket çështjeve thelbësore në nivel komunal. Osmani, nga ish-ministër i Jashtëm, është kandiduar për zgjedhjet lokale, dhe harron se nuk duhet të fokusohet të Bashkimi Evropian, por te Çarshia e Shkupit, të Bit Pazari, të Dizhoni, te Serava e te Gazi Baba, duhet të fokusohet të qytetari, i cili kërkon zgjidhje të problemeve, shkruan “Zhurnal.mk”.

Është fakt se Kroacia para se të bëhej anëtare e BE-së kishte një shtrëngim duarsh midis kryeministrit dhe opozitës ku u ra dakord që mos të grindeshin kurrë për këtë temë. Edhe pse pastaj kishte polarizim më të ashpër atje, por kurrë një politikan kroat i opozitës në Bruksel nuk foli kundër qeverisë për temën e BE-së.

Por, në Maqedoninë e Veriut çështjet që kanë të bëjnë me Brukselin janë më delikate, duke marrë këtu edhe bllokimin bullgar. Prandaj mënyra më e mirë që Maqedonia e Veriut të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian është të ruajë rregullat për të cilat janë rënë dakord, Çdo devijim nga ato rregulla do të thotë hyrje në një territor të panjohur, në të cilin të gjithë do të jenë në gjendje të shprehin kërkesat e tyre. Prandaj, ne duhet të respektojmë marrëveshjet dhe të vazhdojmë në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Bashkimi Evropian nuk do i zgjidh problemet ditore të qytetarëve, por duket qartë se kur mungojnë idetë konkrete dhe vizioni për zhvillim të komunave, gjithçka mundohet të mbulohet me integrimin e Maqedoinsë së Veriut drejt Bashkimit Evropian.

Për të satën herë BDI-ja do bëjë apele të tilla? Edhe nëse kërkohet një konsensus i tillë, qoftë midis partive shqiptare por edhe partive maqedonase, atëherë kjo është e vështirë të ndodhë në këtë moment të fushatës zgjedhore. Nëse BDI mendon të kthejë takimin e liderëve shqiptarë siç ishte ai i Tiranës, sërish kjo nuk do të ketë efekt, sepse një gjë e tillë nuk ka funksionuar.
Shqiptarët nuk kanë problem me rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian, prandaj kjo temë mund të hapet karshi partive maqedonase, në moment të zgjedhjeve parlamentare, ose në momente të formimit të qeverisë, shkruan “Zhurnal.mk”.

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More