Shkup, 30 dhjetor – LSDM në një kumtesë për media thotë se Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK) me veprimet e tij duhet të jetë shembull i veprimit dhe vendimmarrjes së përgjegjshme dhe të pavarur dhe nuk duhet të lërë dyshime për punën e tij.
Nga LSDM thonë se vendimi i fundit për drejtorin e Agjencisë për Siguri Kombëtare, Bojan Hristovski, dhe dyshimet për konflikt interesi në KSHPK hedhin njollë të zezë në punën e komisionit dhe cenojnë besimin në këtë institucion të rëndësishëm.
“Dyshimet për konflikt interesi tek anëtarja e KSHPK-së, Cveta Ristovska, e cila ishte edhe ligjëruese në të njëjtin Universitet nga ku është diploma kontestuese e Hristovskit, si dhe faktet e publikuara në media se diploma është marrë për vetëm 1 vit, komprometojnë objektivitetin dhe pavarësinë e vendimit”.
“Mbajtësit e posteve në KSHPK duhet të jenë shembull përgjegjësie, integriteti dhe transparence. Konfliktet e interesit, manipulimet dhe abuzimet duhet të sanksionohen pa përjashtim. Vetëm kështu qytetarët mund të kenë besim në këtë institucion të rëndësishëm”, thuhet në njoftimin e LSDM-së.