Qeveria socialiste e Spanjës ka propozuar që e drejta për abort të përfshihet në Kushtetutë, pas debatit të hapur nga këshilli bashkiak i Madridit mbi të ashtuquajturën “sindromë post-abort”.
Fillimisht e mbrojtur nga Partia Popullore, kjo teori u tërhoq më pas nga kryebashkiaku Jose Luis Almeida, i cili pranoi se nuk njihet shkencërisht.
Kryeministri Pedro Sanchez akuzoi PP-në për afrimin me ekstremën e djathtë dhe paralajmëroi se do të dërgojë në Parlament propozimin për mbrojtjen kushtetuese të abortit.
Mirëpo, për ndryshime të tilla nevojitet një shumicë prej tre të pestash, duke e bërë të domosdoshme edhe mbështetjen e opozitës konservatore.
Aborti në Spanjë është i dekriminalizuar që nga viti 1985 në raste të caktuara dhe që nga 2010 lejohet sipas kërkesës brenda 14 javëve të para, megjithëse gratë shpesh përballen me pengesa praktike. Vitin e kaluar, Franca u bë vendi i parë që e përfshiu abortin si të drejtë kushtetuese.