Shkup, 2 shtator – Një i paraburgosur ka ndërruar jetë në qendrën e paraburgimit në Shuto Orizari të Shkupit. Të afërmit e tij, akuzojnë sistemin se i ndjeri nuk ka marrë kujdes të duhur shëndetësor në burgun e Shutkës, sepse përveç diagnozave të tjera, ai vuante edhe nga kanceri.
Ky rast tragjik zbulon edhe një herë realitetin e ashpër të gjendjes së sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë në vendin tonë. Në vend të një sistemi që ofron drejtësi, kujdes dhe respekt për të drejtat e njeriut, ne kemi një sistem në të cilin një person i sëmurë, me një diagnozë serioze dhe nevojë të dukshme për kujdes mjekësor, mbetet i injoruar nga institucionet dhe lihet të vuajë në paraburgim, shkruan “Zhurnal.mk”.
Personi i quajtur, Mirsad Pushka, kishte diagnoza të rënda dhe kishte nevojë të merrte terapi çdo ditë. Por në kushtet e tilla në burgje, mungojnë kushtet themelore për jetën e përditshme e lëre më të marrë terapi, të cilat një person me një diagnozë të tillë duhet t’i marrë 24/7.
Sipas praktikës në burg, i paraburgosuri duhet të çohej në spital me urdhër gjykate dhe më pas kthehej, nëse nuk ishte i shtruar në spital.
I paraburgosuri i ndjerë është një nga 36 të pandehurit në çështjen e koduar “Sindroma”, e cila ka të bëjë me ryshfet dhe abuzime të tjera në procedurat për lëshimin e pensioneve të invaliditetit dhe kujdesin ndaj personave të tjerë.
Ai është një nga nëntë personat që iu dha paraburgim efektiv në fillim të hetimit në prill të këtij viti. Që atëherë, ai ka qenë në burgun e Shutkës.
Ky rast tregon edhe një herë realitetin e ashpër të gjendjes së sistemit gjyqësor dhe të drejtësisë në Maqedoninë e Veriut. Në vend të një sistemi që ofron drejtësi, kujdes dhe respekt për të drejtat e njeriut, ne po dëshmojmë se kemi një sistem të kalbur, shkruan “Zhurnal.mk”.
Sistemi gjyqësor ka detyrimin jo vetëm të gjykojë, por edhe të garantojë që masat që vendos nuk do të përbëjnë trajtim çnjerëzor. Paraburgimi nuk duhet të jetë një ndëshkim, e lëre më një dënim me vdekje për një person që duhet të kishte qenë në spital, nën kujdesin e duhur mjekësor.
Përgjegjësia është institucionale – gjyqtarët që vendosën për paraburgimin, administrata që e mbajti në kushte të papërshtatshme, prokuroria që duhej të reagonte, madje edhe Ministritë që kanë detyrën të sigurojnë një sistem që mbron jetën njerëzore.
Çdo tragjedi e tillë minon besimin në sistemin e drejtësisë dhe krijon përshtypjen se e drejta për jetë dhe shëndet varet nga vendime arbitrare dhe nga mosinteresimi i shtetit. Pa një hetim dhe përgjegjësi të plotë, nuk ka as drejtësi dhe as sundim të ligjit.
Konsiderohet thellësisht shqetësuese fakti që të paraburgosurit nuk marrin kujdes të mjaftueshëm mjekësor. Sipas Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, çdo personi – pavarësisht nëse është dënuar apo në paraburgim – i garantohet e drejta për trajtim njerëzor dhe qasje në kujdes shëndetësor. Mohimi i kujdesit mjekësor nuk është vetëm moralisht dhe etikisht i diskutueshëm, por gjithashtu përfaqëson një shkelje serioze të standardeve të brendshme dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Prandaj duhet të ketë përgjegjësi, shkruan “Zhurnal.mk”.