VLEN vendimtarë për shqiptarët apo përkthyes të VMRO-DPMNE-së?

nga I.A

Shkup, 22 gusht – Çështja e parimit të Badenterit nuk është vetëm një debat procedural apo një deklaratë e përkohshme e fushatës. Kjo ka të bëjë me një test të pavarësisë politike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe një tregues të qartë nëse VLEN ka guximin të veprojë si forcë politike vendimtare apo mbetet në hijen e partnerit të saj qeverisës, VMRO-DPMNE. Reagimet e ditëve të fundit e kanë bërë të qartë fillimisht flet Mickoski, e më pas vjen përkthimi në shqip nga Arben Fetai, shkruan Zhurnal.

Badenteri një gurthemel i Marrëveshjes së Ohrit –

Badenteri u vendos si mekanizëm pas Marrëveshjes së Ohrit (2001), për të garantuar se komuniteti shqiptar nuk do të mbetej i margjinalizuar në procesin vendimmarrës. Ai kërkon që vendimet e rëndësishme të kalojnë jo vetëm me shumicën e deputetëve, por edhe me mbështetjen e shumicës së deputetëve shqiptarë, që në praktikën parlamentare njihet si shumicë e dyfishtë. Pra, është një lloj sigurese kushtetuese që mbron barazinë e dy komuniteteve më të mëdha.

Për vite me radhë, ky mekanizëm ka qenë objekt i sulmeve të hapura ose të nënkuptuara nga qarqe nacionaliste maqedonase. Përpjekja e fundit erdhi nga ministri i Drejtësisë, Igor Filkov, i cili tha se ndoshta ka ardhur koha të rishikohet ky parim.

Mickoski u deklarua sot për këtë çështje dhe tha: “Është temë e mbyllur”

Deklarata e Filkovit u prit me reagime të forta. Por ishte kryeministri Hristijan Mickoski ai që u deklarua i pari.

“Marrëveshja e Ohrit është përmbushur plotësisht dhe është mbyllur. Badenteri është punë e kryer dhe nuk preket”, deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.

Ky qëndrim ishte i prerë, pasi Mickoski duke dashur të paraqitet si garant i stabilitetit e mbylli debatin. Në këtë mënyrë ai mori rolin e “mbrojtësit të Badenterit”, duke fituar poenë politikë edhe te komuniteti shqiptar.

Arben Fetai disa orë më vonë u deklarua në shqip me fjalët e njëjta –

Pas Mickoskit në skenë doli Arben Fetai nga radhët e VLEN-it, fjalët e tij ishin një përkthim i përpiktë në shqip i atyre që tashmë kishte thënë shefi i qeverisë.

“Badinteri nuk preket. Është gurthemeli i demokracisë konsensuale, garanci e barazisë dhe paqes”, ka shkruar zëvëndëskryeministri, Arben Fetai.

Në retorikën e Fetait kishte më shumë fjalë të mëdha për demokracinë konsensuale dhe vlerat evropiane por thelbi mbeti i njëjtë, përsëritja e linjës së Mickoskit. Në vend që të dalë i pari e të mbrojë Badenterin si interes shqiptar Fetai reagoi vetëm pasi kishte folur kryeministri.

Ndryshe nga VLEN, Aleanca për Shqiptarët krahu i Taravarit, reagoi menjëherë ndaj deklaratës së Filkovit, duke paralajmëruar se çdo tentativë për ta prekur Badenterin përbën rrezik serioz për përfaqësimin shqiptar. Ata shkuan edhe më tej, duke kërkuar ndërhyrjen e faktorit ndërkombëtar dhe duke akuzuar VLEN-in se me heshtjen e tij po legjitimon politikat diskriminuese të qeverisë.

Këtu vërehet kontrasti i madh, derisa opozita shqiptare artikuloi frikën reale të elektoratit, përfaqësuesit e VLEN-it u sollën si përkthyes të qëndrimeve të VMRO-së. Ky nuk është rasti i parë që partitë shqiptare në pushtet reagojnë me vonesë dhe vetëm pasi “partneri i madh” ka folur. E njëjta gjë ka ndodhur edhe më parë në debate mbi gjuhën shqipe, përfaqësimin proporcional apo çështjet e arsimit. Në vend që të jenë zë i parë dhe i fortë, shpesh përfaqësuesit shqiptarë presin sinjalin nga Shkupi zyrtar, për të mos rrezikuar koalicionin qeverisës.

Kujtojmë që, VLEN gjendet në një udhëkryq vendimtar me çka duhet ose do të tregojë se është forcë që vendos për shqiptarët duke u pozicionuar qartë dhe me guxim para Mickoskit ose do të mbetet në historinë politike si “zyra e përkthimit të VMRO-së”. Shqiptarët nuk kanë nevojë për interpretues, por për përfaqësues që i mbrojnë pa hezitim të drejtat e tyre. /Zhurnal.mk

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More