Rruga në afërsi të pikëkalimit kufitar mes Serbisë dhe Kosovës, Merdarë, është bllokuar në pjesën serbe pasditen e së premtes.
Dy vetura, njëra me një flamur serb në dritaren e pasagjerit, dhe disa persona pranë tyre shihen të vendosur në mes të rrugës që çon në pikën kufitare drejt Kosovës, raporton REL.
Kryetari i së ashtuquajturës “Shoqatë e qytetarëve të Qarkut të Mitrovicës për Kosovë”, Rasha Rojeviq, ka njoftuar se sot do të fillojë bllokada shumëditore e pikave kufitare drejt Kosovës – Merdar, Jarinje dhe Bërnjak.
Rojeviq kishte deklaruar se bllokadat do të zgjasin derisa Policia e Kosovës të tërhiqet nga veriu dhe serbëve t’u kthehen institucionet e mbyllura paralele.
Nën dyshimet se lëshonin dokumente të falsifikuara, të premten Policia e Kosovës ndërmori një aksion për mbylljen e 5 institucioneve paralele serbe, komunës se Qarkut të Mitrovicës së Kosovës, komunës paralele të Mitrovicës së Veriut, të Zveçanit, Zubin-Potokut dhe asaj të Leposaviqit.