Fotografia e Kurtit dhe Osmanit me Mefail Shkodrën, Ambasada e Shqipërisë i çet në rrenë Qeverinë e Presidencën

nga L. M

Ambasada e Shqipërisë në Kosovë ka demantuar Qeverinë dhe Presidencën lidhur me fotografinë ku kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani shihen me Mefail Shkodrën, fajdexhiun e dyshuar për vrasjen e trefishtë në Gjilan.

Pasi u publikua fotografia të dielën, Presidenca dhe Qeveria thanë se fotoja është shkrepur në një organizim të Ambasadës së Shqipërisë në Kosovë. Mirëpo, Ambasada ka thënë se Shkodra nuk rezulton i regjistruar në listat e të ftuarve për asnjë nga pritjet e organizuara nga ta, shkruan Reporteri.net.

“…bazuar në të dhënat zyrtare të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Republikën e Kosovës, personi në fjalë nuk rezulton i regjistruar në listat e të ftuarve për asnjë nga pritjet apo aktivitetet zyrtare të organizuara nga Përfaqësia jonë diplomatike,” thuhet në përgjigjen e ambasadës për Insajderin.

Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, ka thënë se fotografia është shkrepur në pritjen e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në shënim të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

“Edhe pse e di që ajo ngjarje është, në fakt, pritje e organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë në shënim të 110-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë. E di, sepse vetë ka qenë i ftuar dhe i pranishëm në po atë ngjarje të vitit 2022, sikurse dëshmon fotografia më poshtë. E kur ai e thotë qëllimisht e publikisht të pavërtetën, atëherë nuk i mbetet kredibiliteti për të thënë çkado tjetër”, shkroi Kryeziu.

Edhe Presidenca tha se fotoja është shkepur në një organizim të ambasadës.

“Është po ashtu shqetësues manipulimi me qëllim të keqinformimit të opinionit publik, duke përdorur fotografi të rastit të bëra në ambiente publike që autori i këtyre veprave i kishte bërë me një sërë figurash publike. Nga një hulumtim i thjeshtë del se këto fotografi janë bërë gjatë një organizimi festiv të Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e një aktiviteti publik ku morën pjesë edhe përfaqësues të tjerë institucionalë, personalitete nga politika, të ftuar të tjerë dhe qytetarë. Brenda vitit, Presidentja del në fotografi me mijëra qytetarë e pjesëmarrës në aktivitete publike, të cilët as nuk i njeh e as nuk mund ta dijë se cila është veprimtaria e tyre. Prandaj, aludimet për kinse “shoqërim” janë asgjë tjetër pos shpifje”, u tha në reagim.

Mefail Shkodra bashkë me dy djemtë e tij, Edonisin dhe Engjullin, po dyshohen për vrasjen e trefishtë të së dielës në Gjilan. Që të tre ndodhen ende në arrati. /Reporteri.net

TË REKOMANDUARA

Kush jemi ne

Zhurnal.mk është Agjenci e Lajmeve e pavarur, e themeluar në vitin 2009, që e mbulon Maqedoninë, Kosovën, Shqipërinë edhe lajmet nga bota.

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Accept Read More