Prishtinë, 9 shkurt – Shefja e Misionit të Bashkimit Evropian për Vëzhgimin e Zgjedhjeve në Kosovë (EOM), Nathalie Loiseau, anëtare e Parlamentit Evropian, ka deklaruar se me 104 vëzhgues të BE-së në terren, janë duke monitoruar nga afër procesin zgjedhor.
Ajo ka theksuar se kanë për qëllim të vlerësojnë nëse qendrat e votimit u hapen me kohë, nëse materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Derisa ka bërë të ditur se një vlerësim i plotë do të jepet në një konferencë për media të martën.
“Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve nga Bashkimi Evropian është në terren në mbarë Kosovën. Vëzhguesit tanë e nisën punën herët në mëngjes për të siguruar një vlerësim të plotë të procesit zgjedhor. Aktualisht ndodhem në Prishtinë, dje isha në Prizren. Një ditë më parë isha në Mitrovicën e Veriut dhe sot do të udhëtoj në disa vende të tjera jashtë Prishtinës për të parë nga afër situatën. Qëllimi ynë është të vlerësojmë nëse qendrat e votimit u hapën në kohë, nëse të gjitha materialet e nevojshme janë të pranishme dhe si po zhvillohet procesi zgjedhor. Në këtë fazë, është ende herët për të nxjerrë përfundime. Një vlerësim i plotë do të jepet në konferencën tonë për shtyp ditën e martë”, tha ajo.
Ajo më tej ka theksuar Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë. “Me 104 vëzhgues të BE-së në terren, ne jemi të përkushtuar të monitorojmë nga afër procesin zgjedhor. Bashkimi Evropian mbështet plotësisht demokracinë në Kosovë dhe dëshiron të sigurohet që të gjithë votuesit të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre”, ka shtuar ajo.
Ndryshe, për zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, edhe Prokurori i Shtetit ka bërë të gjitha përgatitjet e nevojshme për të realizuar mbrojtjen e votës.
Kështu thuhet në njoftimin e prokurorisë, duke shtuar se në këto zgjedhje janë angazhuar rreth 100 prokurorë dhe numër i mjaftueshëm i personelit të sistemit prokurorial, të cilët do të qëndrojnë kujdestarë deri në përfundim të procesit zgjedhor, me qëllim të procedimit të çdo parregullsie që mund të ndodhë në zgjedhjet e sivjetme./KSP
——
Komisariati për Refugjatë i Republikës së Serbisë është angazhuar në “mobilizimin” e personave të zhvendosur për të votuar në zgjedhjet parlamentare të Kosovës.
Më 17 janar, ai u ka bërë thirrje personave të zhvendosur nga Kosova në Serbi, që të votojnë në zgjedhje, dhe ka bërë më dije se transporti deri në vendvotime, do të organizohet për të gjithë të interesuarit.
Radio Evropa e Lirë sot ka hasur në disa prej tyre edhe në Graçanicë, siç është Zhivorad Petkoviq nga Vrnjaçka Banja.
Ai tha se ka ardhur pa probleme në Kosovë me një furgon, dhe teksa shumica votojnë në Mitrovicë, ndërsa ai ka vendosur të votojë në Graçanicë.
Miodrag Marinkoviq nga organizata joqeveritare Qendra për Veprime Shoqërore Afirmative (CASA), para mbajtjes së zgjedhjeve, ka deklaruar për REL-in se te pjesëtarët e komunitetit serb ekziston vetëdija se politika e bojkotit ka dështuar dhe se ka një numër të madh qytetarësh që do të marrin pjesë për herë të parë në zgjedhjet e Kosovës.
——-
Senatorja amerikane: Mbështes të drejtën e popullit të Kosovës për zgjedhje të lira
Senatorja e Shteteve të Bashkuara për Michiganin, Elissa Slotkin tha se mbështet të drejtën e popullit të Kosovës për zgjedhje të lira
Slotkin në profilin e saj në ‘X’, shkroi se Shtetet e Bashkuara dhe Kosova kanë një partneritet të qëndrueshëm të rrënjosur në vlerat dhe miqësinë e përbashkët demokratike.
“Ndërsa populli i Kosovës shkon drejt qendrave të votimit të dielën, unë mbështes të drejtën e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm ndërmjet vendeve tona”, tha ajo.
———–
Kosova zgjedh parlamentin e ri të dielën. Edhe pse konflikti me Serbinë dominon lajmet në Kosovë e jashtë saj, votuesit e rinj duan që politikanët të përqendrohen edhe në çështje të tjera.
Prishtina, kryeqyteti i Kosovës është mbushur me postera zgjedhorë. Nga shtyllat e ndriçimit, billboard-et dhe muret, fytyrat e politikanëve iu buzëqeshin kalimtarëve, ndërsa sloganet tërheqëse të partive synojnë të sigurojnë mbështetje në ditën e zgjedhjeve. Kosova shkon në zgjedhje parlamentare të dielën (09.02.). Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë nga Serbia në shkurt të vitit 2008.
Nga viti 2008 deri në 2021, janë mbajtur vetëm zgjedhje të parakohshme. Kandidatët garojnë për 120 vende në parlament. Njëzet nga këto vende janë të rezervuara për anëtarët e pakicave kombëtare, ku gjysma i takon serbëve të Kosovës. Deri në zgjedhjet e vitit 2021, vendi është qeverisur nga koalicione të përbëra nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), të cilat drejtoheshin nga figura të lëvizjes për pavarësi të viteve 1990.
Por zgjedhjet parlamentare të vitit 2021 u fituan nga lëvizja social-demokratike Vetëvendosje, e udhëhequr nga Albin Kurti, ish-udhëheqës studentor dhe ish-i burgosur politik nën regjimin e diktatorit serb Slobodan Millosheviq. Kurti kandidon për një mandat të dytë të dielën.
Përplasje me Serbinë
Gjatë katër viteve të fundit, Kurti e ka ndryshuar rrënjësisht drejtimin e politikës së jashtme të Kosovës. Ndërsa qeveritë e mëparshme të Kosovës kishin vepruar në bashkërendim të ngushtë me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qeveria aktuale ka vepruar kryesisht në mënyrë të pavarur që nga viti 2021.
Prioriteti kryesor i kryeministrit, Albin Kurti duket zbatimi i sovranitetit të plotë të Kosovës në raport me Serbinë dhe të çlirojë vendin nga ndikimi i fuqive ndërkombëtare mbrojtëse, politikat e të cilave Lëvizja Vetëvendosje i konsideron “kolonialiste”.
Që nga viti 2011, Bashkimi Evropian përpiqet të arrijë normalizimin e marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Para se Kurti të merrte detyrën në vitin 2021, dialogu midis qeverive ishte pothuajse i ngrirë. Që atëherë, ai ka qenë praktikisht inekzistent. Kjo për shkak se Serbia nuk ka ndërmend të njohë sovranitetin e Kosovës, ndërsa Kosova refuzon të bëjë lëshime të përhershme që do t’i jepnin Serbisë mundësinë për të ndërhyrë në politikën e saj të brendshme.
Tension, dhunë dhe presion
Një nga pengesat kryesore në këtë aspekt është krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, një strukturë e qeverisjes lokale që kërkon një shkallë të caktuar autonomie kolektive. Në këmbim nga Serbia pritet të braktisë politikën e saj bllokuese dhe t’i lejojë Kosovës anëtarësimin në organizata globale si Kombet e Bashkuara.
Edhe pse nuk është bërë asnjë përparim në këtë çështje vitet e fundit, Kurti filloi shpejt zbatimin e politikës së sovranitetit pas ardhjes në pushtet. Kjo përfshinte vendosjen e euros si e vetmja valutë zyrtare në vend, përfshirë zonat me shumicë serbe që deri atëherë kishin përdorur dinarin serb për transaksione.
Serbia u kundërpërgjigj duke rritur praninë ushtarake në kufi. Forcat paramilitare serbe në veri të Kosovës kryen disa akte dhune, gjë që kërkoi ndërhyrjen e trupave paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO, KFOR. Konflikti me Serbinë vazhdon të përshkallëzohet. Presidenti Aleksandar Vuçiq po përdor një ton gjithnjë e më agresiv ndaj Prishtinës. Kurse Qeveria e Kosovës po përballet me presion të madh nga BE dhe SHBA, të cilat nuk duan që ajo të refuzojë arritjen e “marrëveshjeve” me Serbinë.
Vota e të rinjve
Para zgjedhjeve çështjet rajonale dhe gjeopolitike dominojnë titujt e mediave kombëtare dhe ndërkombëtare për Kosovën. Megjithatë, për votuesit e rinj, këto zhvillime nuk janë e vetmja çështje e rëndësishme në zgjedhje. Gjendja socio-ekonomike brenda vendit është po aq e rëndësishme.
Kosova ka popullsinë më të re në Evropë. Papunësia në mesin e të rinjve nën 24 vjeç është rreth 33%. Korrupsioni mbetet një problem i madh, edhe katër vjet pasi Kurti dhe Vetëvendosje fituan zgjedhjet me një program të qartë kundër korrupsionit. Besarta Jashari, një gazetare 21-vjeçare që punon për radion dhe televizionin privat RTV 21, i tha DW se ajo dëshiron më shumë se çdo gjë tjetër të shohë ndryshime shoqërore. “Këtu, mungesa e vendeve të punës dhe pagat e ulëta bëjnë që njerëzit të detyrohen të emigrojnë,” tha Jashari. “Sistemi i kujdesit shëndetësor duhet gjithashtu të përmirësohet, sepse shumë njerëz janë të detyruar të udhëtojnë jashtë vendit për trajtim. Dhe, më në fund, do të doja të shihja më shumë mundësi për vajzat dhe gratë e reja.”
“Politika gjithmonë dominohet nga të njëjtët personazhe të vjetër,” shtoi ajo. “Nuk ka pothuajse fare hapësirë për zërat e rinj me perspektiva të freskëta dhe ide progresive. Edhe në këto zgjedhje parlamentare, asnjë parti nuk i ka besuar një gruaje kandidaturën për postin e kryeministrit.”
Eksodi nga Kosova
Politologu Nexhmedin Spahiu thekson, se “të rinjtë në Kosovë nuk kanë durim të presin për zhvillimin e vendit: ata duan vende pune të sigurta dhe një shoqëri ku merita të ketë rëndësi, jo anëtarësimi në parti apo afërsia me pushtetin.”
Nëse qeveria e ardhshme nuk i dëgjon shqetësimet e të rinjve, eksodi nga vendi ka të ngjarë të vazhdojë, duke krijuar një problem edhe më të madh për Kosovën sesa konflikti me Serbinë dhe aktorët ndërkombëtarë. Lea Hoxhaj, një studente 18-vjeçare e menaxhimit dhe ekonomisë së aplikuar nga Prishtina, e cila do të votojë për herë të parë të dielën, tha se qeveria e ardhshme e Kosovës “duhet të krijojë vende të reja pune, të mbështesë të rinjtë dhe të sigurojë që sistemi arsimor të përmirësohet – si në aspektin e mësuesve të kualifikuar ashtu edhe të materialeve mësimore.”/DW